Arrestimi i Erion Veliajt, SPAK zbulon emrin e deputetes së PS-së nën hetim: Tentoi të pengojë zbulimin e….

SPAK ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në kuadër të hetimeve për korrupsion.

Në njoftimin e saj, Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se po heton edhe deputeten e Partisë Socialiste, njëherazi kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Sipas SPAK, Bushka është regjistruar si person nën hetim për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuar në nenin 301 të Kodit Penal.

“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases Klotilda Bushka. Deri në këtë fazë të hetimit, ekzistojnë të dhëna konkrete që çojnë në dyshimin e arsyeshëm se ajo ka kryer veprime të kundërligjshme, të cilat kanë interferuar me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024,” thuhet në deklaratën e SPAK.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka falënderuar Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në ekzekutimin e masave të sigurisë.