“Arrest në burg” për Lul Berishën – Ish-kreu i bandës së Durrësit mohon njohjen me Luftar Reçit: Nuk e kam takuar, nëse e provoni…

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Lulzim Berishën, ish-kreun e bandës së Durrësit, i ekstraduar nga Spanja dy ditë më parë.

Gjatë seancës, Berisha ka kundërshtuar deklaratat e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi. “Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt, më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër, njëlloj do të bjerë edhe kjo,” deklaroi ai.

Avokati i tij, Detar Hysi, në një prononcim për gazetarët, i bëri thirrje prokurorëve të jenë të pavarur në punën e tyre.

Hetimet ndaj Berishës po vijojnë, ndërsa ai akuzohet për vepra të rënda kriminale.