Arrest me burg për babain e 17-vjeçares që tentoi vetëvrasjen në Vlorë, nën akuzë për…

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Saimir Xh., babai i 17-vjeçares që pak ditë më parë tentoi vetëvrasjen në qytetin bregdetar. Ai akuzohet për dy vepra penale të rënda: “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, sipas nenit përkatës të Kodit Penal.

Gjatë seancës gjyqësore është kërkuar një masë më e lehtë sigurie për 43-vjeçarin, por gjyqtari Bevil Beqiraj ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën më të rëndë: arrest me burg.

Ngjarja tronditëse ndodhi vetëm disa ditë më parë në banesën e gjyshit të vajzës, ku ajo tentoi t’i jepte fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri. Vajza mori plagë në kokë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Në këtë procedim penal është përfshirë edhe gjyshi i vajzës, ndërsa Policia e Vlorës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e armës së përdorur. Sipas burimeve policore, dyshohet se arma është fshehur nga anëtarë të familjes pas incidentit.