Arratisje si në film në burgun e Francës! 20-vjeçari del nga qelia i fshehur në çantën e një të burgosuri tjetër

Një arratisje spektakolare ka ndodhur të premten në një burg pranë Lionit, në jug të Francës, ku një 20-vjeçar ka arritur të dalë nga burgu duke u fshehur brenda në çantën e një bashkëvuajtësi, i cili ishte në proces lirimi.

Lajmi u konfirmua të shtunën nga administrata e shërbimit penitenciar për AFP, duke shtuar se i riu, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, po vuante dënime me burg dhe dyshohet për lidhje me krimin e organizuar.

Sipas deklaratës zyrtare, i riu përfitoi nga momenti i lirimit të bashkëvuajtësit të tij për të dalë nga institucioni, duke u futur në një çantë udhëtimi, e cila nuk është kontrolluar mjaftueshëm nga stafi i sigurisë në momentin e daljes nga burgu.

Prokuroria e Lionit ka nisur një hetim për “arratisje të organizuar” dhe “pjesëmarrje në grup kriminal”, ndërsa shërbimi penitenciar ka paralajmëruar masa disiplinore dhe një hetim të brendshëm për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Menjëherë pas arratisjes, forcat e rendit janë vënë në alarm, ndërsa kërkimet për kapjen e të riut janë intensifikuar.