Arratisje apo dekonspirim?! Eljon Hato, miku i Ervis Martinaj nuk gjendet në banesë!

Një tjetër operacion i forcave elitë RENEA ka dështuar në Shkodër për gjetjen dhe arrestimin e Eljon Hatos, i shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza” që prej vitit 2023.

Burime bëjnë me dije se janë kryer kontrolle të shumta në zonën e rrethinave të Shkodrës në orët e mbrëmjes, por Hato sërish nuk është gjetur.

Të njëjtat burime thonë se nga ky aksion janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 5 ose 6 persona, në mesin e të cilëve edhe vëllai i Eljon Hatos. Edhe më herët, RENEA ka kryer disa operacione për arrestimin e tij në Shkodër dhe Tiranë, por nuk ka mundur ta gjejë.

Nuk dihet nëse operacioni është dekonspiruar, apo Hato nuk ka qenë në banesë gjatë kontrolleve. Hato konsiderohet si mik i ngushtë i biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, i cili prej më shumë se një viti është zhdukur pa gjurmë.

Për herë të parë emri i Eljo Hatos është lakuar krah atij të ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, që rezulton i zhdukur që prej vitit 2022. Hato mbeti i plagosur në masakrën e ish-bllokut, pas përplasjes në të cilën mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. Eljo Hato ka qenë arrestuar më herët për vrasjen e Indrit Yllit dhe porositjen e vrasjes së mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli.

Eljon Hato është shpallur në kërkim ndërkombëtar verën e vitit 2023, pasi Prokuroria e Posaçme kreu një sërë arrestimesh në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku biznesmenë, drejtues policie dhe anëtarë të grupeve kriminale bashkëpunonin me njëri-tjetrin për ngjarje kriminale.