Arratisja spektakolare nga makina e policisë, ende në kërkim të 29-vjeçarit Liçi

Nazmi Liçi, 29 vjeç është ende në arrati dhe kërkohet nga policia e Elbasanit. Së bashku me Ervis Peqini, 33 vjeç tashmë i arrestuar, ai ishin ndaluar nga policia e Elbasanit për vjedhje.

Pasi ka mbaruar seanca gjyqësore dy të arrestuarit janë transportuar me makinë në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Arratisja ka ndodhur në momentin kur dy të ndaluarit pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan, ndërsa dihet që godina e drejtorisë së policisë është në rikonstruksion.

Nazmi Liçi është një nga personat e vënë në pranga për djegien e automjetit të Jorgo Zhidros, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2023. Vetë Liçi, i ka treguar Jorgo Zhidros, se makinën ia kishte djegur ai me urdhër dhe financim të Ambri Sinakolit, që njihet si Ambri i Universit.

Për këtë ‘punë’, Liçi është paguar 1 milion lekë nga Sinakoli.

Në vitin 2021, Nazmi Liçi është vënë në pranga dhe për një sërë vjedhjesh që kishte kryer në Ksamil dhe Sarandë.

Ndërsa Ervis Peqini është arrestuar në vitin 2015 për një plagosje me thikë. Ervis Peqini, banues në Elbasan, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur një herë më thikë, në pjesën e kurrizit, A.T., 28 vjeç, banues në Tiranë.