Arratisja spektakolare në Francë/ I burgosuri fshihet në valixhe dhe i shpëton qelisë, kapet pas 3 ditësh
Një i burgosur 20-vjeçar, Elyazid A., me origjinë nga Mayotte, është arrestuar tre ditë pas një arratisjeje të pazakontë nga burgu Lyon-Corbas në Francë, ku po mbahej për vrasje dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar.
Sipas autoriteteve, ai u fsheh në një çantë të madhe që i përkiste shokut të qelisë, i cili po lirohej atë ditë, dhe u transportua përmes një karroce bagazhesh jashtë objektit. Stafi i burgut e kuptoi mungesën vetëm mëngjesin e ardhshëm.
I arratisuri u kap të hënën në një bodrum në qytetin Sathonay-Camp, në veri të Lionit, nga njësi speciale të policisë.
Një alarm i kuq nga Interpoli u lëshua menjëherë pas arratisjes, ndërsa bashkëpunëtori që ndihmoi në ikje vazhdon të jetë në kërkim.
Shërbimi i burgjeve francez ka hapur gjithashtu një hetim të brendshëm mbi shkeljet e sigurisë, ndërsa burgu Lyon-Corbas përballet me mbipopullim të theksuar – me mbi 1,200 të burgosur në hapësira të ndërtuara për vetëm 678 veta.