Arratisja nga burgu i Shënkollit, lirohen tre të arrestuarit/ “Arrest në shtëpi” për dy prej tyre

Tre punonjësit e burgut të Shënkollit, të arrestuar pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze, janë liruar nga qelia pas vendimit të gjykatës së Lezhës.

Gjin Ndoka dhe Mark Nikolli u lanë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa për Zhaneta Mella u vendos masa “Detyrim paraqitje”. Ndoka ishte punonjës në kupolë, ndërsa Nikolli në sektorin e grupit të sigurisë. Mella shërbente si operatore e kamerave.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, të arrestuarit kanë deklaruar se ndodheshin në detyrë, por nuk e kanë konstatuar momentin e arratisjes së 49-vjeçarit.

Gjyqtari Lirim Bulica pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tyre dhe vendosi masat e sigurimit që do të vijojnë të mbikëqyren. Hetimet për arratisjen e Daut Laze vazhdojnë.