Arratisja nga burgu e 49-vjeçarit me çrregullime psikike, arrestohen tre gardianë/ Policia ende në kërkim të të dënuarit

Tre gardianë të burgut të Shënkollit janë arrestuar pas arratisjes së të dënuarit Daut Laze nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në Lezhë. Gjin Ndoka, Tonin Nikolli dhe Zhaneta Mella u ndaluan nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pasi akuzohen për shpërdorim detyre, duke mos përmbushur përgjegjësitë e tyre gjatë momentit të arratisjes.

Mungesa e 49-vjeçarit u konstatua në orët e para të mëngjesit gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit. Daut Laze, i dënuar për dhunë në familje, ishte dërguar në institucion mjekësor për trajtim të detyruar pas një akti ekspertimi psikiatrik, që përcaktoi se ai vuan nga çrregullim psikopatik paranoid.

Policia po vijon kërkimet për kapjen e tij, ndërsa është ofruar një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion mbi vendndodhjen e tij. Daut Laze shfrytëzoi hapësirat e sigurisë së institucionit mjekësor për t’u larguar, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë ligjore të të ndaluarve po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë.