Arratisja e dy personave nga dhomat e sigurisë në Elbasan, AMP pezullon tre punonjës policie për “Shpërdorim detyre”
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nga detyra tre punonjës policie në Elbasan, pas arratisjes së dy të arrestuarve nga dhomat e sigurisë së Komisariatit të Policisë Elbasan. Personat e pezulluar janë Theofan Telo, Andeta Liçi dhe Avni Bahja, të cilët akuzohen për mospërmbushje të detyrave funksionale që çuan në ngjarjen e rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të një detyre publike” për punonjësit e policisë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Punonjësit e pezulluar janë:
•Nënkomisar Theofan Telo Specialist për rendin pranë Komisariatit të Policisë Elbasan.
•Inspektor Andeta Liçi, Ndihmës Specialiste pranë Zyrës së Informacionit në Komisariat.
•Inspektor Avni Bahja Përgjegjës i dhomave të sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë (DVP) Elbasan.
Nga hetimet paraprake të AMP-së, rezulton se këta punonjës nuk kanë marrë masat e duhura për të parandaluar arratisjen e dy të arrestuarve, N.L. dhe E.P., të cilët po qëndronin në dhomat e sigurisë me masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e “Vjedhjes me dhunë”.
Masa shtesë për ngjarjen:
Më 31 dhjetor 2024, AMP ndaloi me iniciativë një tjetër punonjës policie, Inspektor Dhimitër Doka, me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë, për akuzën e “Shpërdorim i detyrës”. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë Inspektor Avni Hamzallari dhe Inspektor Azem Bardhi të cilët mbanin detyra roje dhe përgjegjësi në dhomat e sigurisë.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë për të identifikuar çdo përgjegjës tjetër në strukturat e Policisë së Elbasanit.