“Armiku s’bëhet mik as vëlla”, reagon Capital-T pas incidentit në aeroportin e Beogradit

Në lidhje me raportimet e fundit për incidentin e rëndë në Aeroportin e Beogradit, ku disa qytetarë shqiptarë janë mbajtur me orë të tëra në kushte të rënda ka reaguar edhe reperi i njohur shqiptar, Capital T.

Ai e rishpërndau videon në Instastory, duke shkruar në anglisht: “Mesa duket, gjithmonë na duhet të mësojmë në mënyrën më të vështirë”.

Në një postim tjetër, Capital T emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi i dha reagimit të tij një ton më të drejtpërdrejtë dhe emocional, duke shkruar: “Sa herë duhet me u djegë, sa plagë duhet me u hapë, që me kuptu se armiku, sado maska të veshë, kurrë s’bëhet as mik, e as vëlla!”.

Fjalët e reperit, që njihet për angazhimin e tij në çështje që prekin komunitetin shqiptar, u interpretuan nga ndjekësit si një kritikë e qartë ndaj trajtimit të shqiptarëve në Serbi, dhe një thirrje për vetëdije kolektive.

Reperi, i njohur ka folur shpesh herë ndaj situatave që prekin publikun shqiptar në rajon.

Ngjarja në Aeroportin e Beogradit ka ngjallur polemika të shumta për shumë figura publike dhe qytetarë që kanë shprehur pakënaqësi për reagimin e institucioneve nga autoritetet shqiptare dhe kosovare.