Armëpushimi në Gaza/ Izraeli liron 183 të burgosur palestinezë, Hamasi dorëzon tre pengje

Pas një lufte të përgjakshme 15-mujore në Rripin e Gazës, armëpushimi i arritur së fundmi ka sjellë lirimin e 183 të burgosurve palestinezë nga Izraeli, ndërsa Hamasi ka dorëzuar tre pengje izraelite. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti synon të lehtësojë situatën e rëndë në këtë zonë të konfliktit.

Të shtunën, Izraeli nisi lirimin e dhjetëra të burgosurve palestinezë, të cilët u transportuan me autobusë drejt Bregut Perëndimor. Sipas Sky News, ky ishte këmbimi i pestë i pengjeve që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në janar.

Ndërkohë, dhjetëra luftëtarë të armatosur të Hamasit krijuan një kordon sigurie në qytetin Deir el-Balah për të kontrolluar turmën e mbledhur për të parë lirimin e pengjeve.

Në Tel Aviv, në të ashtuquajturin “Sheshi i pengjeve”, qindra njerëz pritën me emocione pengjet e liruar. Në këtë shesh është vendosur një ekran i madh, që numëron ditët, orët dhe minutat që nga sulmi i paprecedent i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Armëpushimi aktual përfshin një fazë të parë 42-ditore, gjatë së cilës synohet lirimi i gjithsej 33 pengjeve. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se pas këtij këmbimi një delegacion izraelit do të udhëtojë drejt Dohas për të vijuar negociatat për fazën e dytë.

Faza e dytë pritet të nisë së shpejti, me qëllim lirimin e më shumë pengjeve dhe hapjen e rrugës drejt një përfundimi të përhershëm të konfliktit të nisur më 7 tetor 2023. Detajet e plota të këtyre negociatave mbeten ende të paqarta.