Armë, dokumente false dhe lidhje me Durim Bamin – detaje nga arrestimi i ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina

Dalja në dritë e detajeve të reja nga arrestimi i ish-efektivit të forcave RENEA, Altin Morina, ka thelluar më tej dyshimet për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme. Ai u ndalua mbrëmjen e së enjtes nga shërbimet e Komisariatit nr. 2 në Tiranë, pas gati një viti në arrati.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se gjatë arrestimit, Morina ishte në shoqërinë e një personi tjetër dhe iu gjetën me vete një armë zjarri si dhe dokumente të falsifikuara. Ai ishte shpallur në kërkim që më 17 maj 2024, me urdhër të SPAK, në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Lidhja me Durim Bamin dhe kultivimi i kanabisit

Sipas dosjes hetimore të SPAK, Altin Morina dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Durim Bamit në organizimin e kultivimit të bimëve narkotike në zonat e Niklës dhe Tapizës. Në kohën kur dyshohet se ka ndodhur aktiviteti kriminal, Morina mbante detyrën e efektivit të forcave speciale RENEA.

“Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami, në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina, kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

Nuk është hera e parë që Altin Morina përballet me ligjin. Më 14 mars 2023, ai ishte arrestuar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, pasi u kap duke lëvizur me një automjet tip Audi Q8, me vete 113 mijë euro, një shumë paundësh dhe lekësh.

Në atë kohë, ai u la i lirë nga gjykata në prill të po atij viti, pas deklarimeve të tij se paratë i kishte marrë për një problem personal nga një biznesmen, i cili e konfirmoi këtë version para hetuesve.

“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal,” kishte deklaruar Morina në atë kohë, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.

Aktualisht, autoritetet po hetojnë nëse Altin Morina ka qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal, duke verifikuar kontaktet e tij dhe rolin konkret në aktivitetet e dyshuara. Prania e armës dhe dokumenteve të falsifikuara në momentin e arrestimit shton më tej dyshimet për veprimtari të paligjshme gjatë periudhës së arratisë.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme pritet të kërkojë masa më të ashpra sigurie për Morinën, ndërsa pritet të zbardhen edhe identitetet dhe roli i personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje.