Armë dhe drogë në Durrës/ Drejtori i shkollës artistike u arratis nga avllia kur pikasi policinë! Zbardhen detaje nga dosja

Durres- Drejtori i Shkollës së Muzikës, Dashamir Mehmeti, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Summer” nga Antidroga e Durrësit, i iku policisë nga sytë këmbët në momentin që do të arrestohej. Në dosjen e siguruar nga gazetari Sokol Dema thuhet se në momentin që policia hyri brenda pronës së tij për ta arrestuar, ai ndodhej në oborr, por sapo ka parë blutë është larguar me vrap duke kaluar avllinë e shtëpisë në drejtim të banesave të tjera në lagje dhe duke u humbur nga sytë policisë. Por, nëse blutë e Durrësit nuk gjetën 41-vjeçarin, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për gjithë ato sende të gjetur në banesë gjatë kontrollit, më konkretisht 1 pistoletë, pranga, 3 targa makinash, celularë të ndryshëm dhe 2 makina, një Benz GLK dhe një Opel Corsa.  Për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të shitjes së drogës, Antidroga e Durrësit mundi të gjejë jo vetëm një, por 4 burime konfidenciale, të cili ishin të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të kryer blerje te stimuluara tek të gjithë persona e dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Diamant Shkina, 33 vjeç, në bashkëpunim me të tjerë, shpërndajnë kokainë dhe kanabis, pranë lokalit të tallavasë “Number One”. Shkina rezulton të jetë truprojë në këtë lokal bashkë me një tjetër. Çdo person merr kontakt me Shkinën, i cili qëndron pranë derës hyrëse të lokalit, ndërsa lëndën narkotike e mbajnë të fshehur në një ambient te mbyllur me derë druri pranë asaj kryesore, e ndarë në porcione 0.2 dhe 0.5 gramë, përkatësisht që kushtojnë 2.500 dhe 5.000 lekë.

Në lagjen 13 Plazh, pranë pastiçeri Pelikanit ndodhet Florjan Karafili, i njohur ndryshe si “Danzi”, i cili shpërndan kokainë dhe kanabis. Ai lëviz në këmbë dhe drogën e mban në një çantë marsup të zezë. Gjatë sezonit veror punëson dhe dy të tjerë për shpërndarjen e drogës.

Ata qëndrojnë përgjatë vijës bregdetare në zonën e rërës, kryesisht tek çadrat e vendosura në rërë ku qëndrojnë ata që japin varka me qira. Karafili dhe bashkëpunëtorët drogën e sigurojnë nga një i paidentifikuar. Në lagjen numër 4, pranë Caffe Polis, Arbi Haxhiu, i njohur me nofkën Boli, shpërndan kokainë dhe kanabis me një makinë tip “Ford Fusion” dhe me motor “Skuter” pa targa.

Katër personat që shërbyen si burime konfidenciale, me të cilët u lidh marrëveshje bashkëpunimi për të kryer blerje të simuluara të drogës, e kryn këtë aktivitet nga 20 maji deri më 30 qershor. Ata fillimisht u treguan agjentëve të Antidrogës se narkotikë shiteshin pranë shkollave, qendra tregtare dhe lagje te ndryshme.

Në vazhdën e punës së tyre për të blerë drogë me simulim, Durim Metës iu bënë 4 blerje të tilla të kokainës më vlera 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë dhe 5 mijë lekë për porcion, pranë zonës së Nishtullës. Florian Demirit, iu bënë 3 blerje te simuluara me shuma të ngjashme. Në këtë mënyrë, bashkëpunëtorët konficencial bënë blerje të simuluara edhe te persona e tjerë të arrestuar.

Në kuadër të operacionit “Summer”, i cili u ndërmor më 7 korrik 2024 zhvillua pas dy muajsh hetime, ranë në pranga 15 persona, ndërsa 3 janë ende në kërkim, për armëmbajtje pa leje dhe drogë.

Sot Gjykata e Durrësit caktoi masat arrest në burg për 4 prej tyre, 7 u lanë në masën arrest shtëpie, kurse 4 detyrim paraqitje.

Masat e sigurisë: 
Durim Meta Arrest shtëpie
Florian Demiri arrest shtëpie
Flamur Tare arrest shtëpie
Diamant Shtina detyrim me paraqitje
Sadik Lako arrest shtëpie
Rustem Kolgjini arrest shtëpie
Zamir Hoxha arrest me burg
Marenglen Liçi arrest shtëpie
Saimir Sina arrest shtëpie
Klodian Seiti arrest me burg
Mateo Jeshili detyrim me paraqitje
Elgert Patlli detyrim me paraqitje
Gerald Tare detyrim me paraqitje
Xhuliano Xhaferri arrest me burg
Muhamet Meta arrest me burgU shpallën në kërkim:
Dashamir Mehmeti, 41 vjeç drejtori i shkollës Jan Kukuzeli në Durrës,
Orgito Mema, 20 vjeç,
Enis Piro, 46 vjeç, banues në Durrës.