Armando Broja nuk do të jetë pjesë e listës së Kombëtares/Silvinjo: Gjasula dhe Cikalleshi dhanë shpirtin dhe zemrën për ekipin

Futbollisti Armando Broja nuk do të jetë pjesë e listës së Kombëtares për dy ndeshjet e muajit Shtator të UEFA Nations League. Lajmin e ka dhënë trajneri Silvinjo në një konferencë për shtyp paraditen e sotme. Shkak është bërë dëmtimi i Brojës dhe në vend të tij është thirrur Myrto Uzuni.

“Broja nuk është më pjesë e listës, kemi pritur deri në fund, kemi qenë në kontakt deri dje me Evertoni. Broja ka pasur problem me tendinën e djathtë të Akilit. I duhet t’u nënshtrohet disa analizave. Ajo çfarë ne dimë është që në 10-15 ditët e ardhshme nuk mund të jetë i gatshëm për kombëtaren. I uroj të kalojë këtë problem. Në vend të Brojës kemi thirrur Uzunin”, deklaroi trajneri Silvinjo.

Sa i përket mosgrumbullimit të Uzunit në Kampionatin Europian, trajneri Silvinjo deklaroi se nuk ka asgjë personale, por sepse Broja ka qenë zgjedhje e parë.

Silvinjo, i ka shprehur mirënjohjen 2 lojtarëve, Klaus Gjasula dhe Sokol Cikalleshi, të cilët më herët vendosën të tërhiqeshin nga Kombëtarja.Në një konferencë për mediat, Silvinjo ka thënë se këto 2 lojtarë janë dalluar gjithmonë për profesionalizmin, vendosmërinë dhe punën e palodhur në çdo sfidë. Ai i ka falenderuar për shpirtin dhe zemrën që kanë dhënë për ekipin.

Në Shtator, Kombëtarja Shqiptare luan dy ndeshje. Më datë 7 ora 20:45 luhet sfida Ukrainë-Shqipëri. Më 10 Shtator në orën 20:45, Shqipëria luan në shtëpi kundër Gjeorgjisë. Dy ndeshjet janë të vlefshme për Nations League.