Arilena Ara gati për skenën global! Fluturimi i saj kozmik nis me këngën “Weightless”
Arilena Ara ka hedhur hapin më të madh të karrierës së saj, duke synuar skenën ndërkombëtare me një projekt të jashtëzakonshëm muzikor. Këngëtarja shqiptare ka publikuar zyrtarisht këngën “Weightless”, një bashkëpunim me ikonën e muzikës botërore, Diane Warren. Ky projekt vjen pas një rruge të suksesshme në tregun muzikor shqiptar dhe rajonal, duke shënuar një moment historik për artisten.
Kënga u prezantua fillimisht për publikun shqiptar gjatë finales së Big Brother VIP në Top Channel, ku Arilena ofroi një preview emocionues të saj. Tashmë, “Weightless” është publikuar për tregun global, duke i hapur dyert e skenave më të mëdha të botës.
Diane Warren, kantautorja legjendare që qëndron pas hiteve si “I Don’t Wanna Miss a Thing”, “Because You Loved Me” dhe “Unbreak My Heart”, ka shkruar këtë këngë enkas për Arilenën. Në listën e bashkëpunëtorëve të saj numërohen artistë si Whitney Houston, Celine Dion, Cher, Tina Turner, Mariah Carey, Beyonce, Lady Gaga, Taylor Swift, Elton John dhe Aretha Franklin.
Videoklipi i “Weightless” ofron një përjetim vizual futurist dhe magjepsës. Në një univers me hapësira të pafundme dhe dritë që pulson në sinkron me emocionin, Arilena shfaqet si një artiste që fluturon përtej kufijve të zakonshëm, përtej skenave tradicionale dhe përtej tokës. Mes dritave kozmike, ajo bart me vete simbolin e krenarisë kombëtare: shqiponjën dykrenare, të qëndisur në veshjen e saj, një kujtesë e rrënjëve nga ku ka nisur fluturimin.
Në një postim në rrjetet sociale, Arilena e përshkroi këtë projekt me fjalët:
“Për tek yjet…”