Argita Malltezi sfidon SPAK: Prokuroria të tregojë nëse ekziston videoja e përfolur
Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka reaguar lidhur me një çështje të diskutuar për një video të dyshuar.
Argita Malltezi ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të mbyllë procedimin lidhur me një video të pretenduar, ku sipas saj, magjistratja Irena Gjoka negocionte me një ish-deputet të PS-së për marrjen e 500 mijë eurove në këmbim të lehtësirave ligjore.
Malltezi tha se ka pyetur SPAK nëse ekziston një video e tillë, që sipas saj është zbuluar rastësisht në banesën e një gazetari të larguar nga Shqipëria, por ajo vetë nuk i disponon pamjet. Në daljen e saj për mediat, Malltezi kërkoi transparencë nga SPAK mbi këtë çështje.
“Kanë vendosur mbylljen e procedimit. Pyeta nëse ekziston një video e tillë dhe nëse e disponon SPAK. Nuk e kam videon dhe as nuk e kam parë. Atëherë, pse SPAK po e tjerr këtë çështje? Të tregojnë qartë nëse kjo video ekziston apo jo,” deklaroi Malltezi.
Ajo theksoi se është e nevojshme që Prokuroria e Posaçme të tregojë qartë nëse materiali i përfolur është real dhe pse nuk është bërë transparent për publikun.