Ardit Gjebrea në mbështetje të Erion Veliajt: Jam krenar që kam një mik si ti
Moderatori i njohur, Ardit Gjebrea, ka reaguar publikisht pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në një postim në Instagram, Gjebrea shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e tij për Veliajn, duke vlerësuar punën e kryebashkiakut për transformimin e Tiranës.
“Askush nuk mund të thotë që Tirana është njësoj si më parë. Dhe për fat të keq, si mundet që nuk e bërtasin punën tënde, e sa shpejt harruan (me qëllim) që Tiranës ju fute me themel për ta ndryshuar, për të mirën e përditshmërisë tonë?! Një ditë do të të kërkojnë, dhe e di: I afti gjithmonë e gjen mënyrën të jetë i denjë për veten dhe familjen. Ti duhej të vazhdoje të ishe aty, në punë, për të gjithë ne! Jam i lumtur dhe krenar që kam një mik si ty! #kambesimtekti #jamerion,” shkroi Gjebrea.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Pas një seance maratonë prej 7 orësh, GJKKO vendosi ta lërë Veliajn në burg. Ndërkohë, masa e sigurisë për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ndryshoi nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” dy herë në muaj, duke iu hequr gjithashtu pasaporta.
Në “detyrim paraqitje” janë lënë edhe pesë biznesmenë të njohur: Gentian Sula, Fatmir Bekteshi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi. Erion Veliaj pritet të ankimojë vendimin në ditët në vijim dhe të kërkojë ndryshimin e masës së arrestit.