“Ardhja e pushuesve të huaj, meritë e Zotit”/ Rama: Shqipërinë turistike e bëmë ne dhe askush tjetër, jo thjesht meritë e natyrës
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi në rubrikën e tij “Sy më sy”, i cili tha se ardhja e turistëve në Shqipëri është meritë e natyrës së bukur që ka falur Zoti dhe jo e punës së qeverisë. Rama e kundërshtoi këtë pohim, duke theksuar se ndryshimet në turizëm janë rezultat i punës së qeverisë së tij, kryesisht përmes projekteve të rilindjes urbane dhe politikës së jashtme dinjitoze.
“Siç thotë populli, Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten. Shqipërinë turistike e bëmë ne dhe askush tjetër. Në radhë të parë me rilindjen urbane, me një politikë të jashtme që e ka bërë Shqipërinë lajm të mirë dhe vend të respektuar, si dhe me plot punë të tjera,” u shpreh Rama.
Ai përmendi edhe ftesën që ka marrë Shqipëria si vend nderi në Panairin Global të Berlinit për Turizmin, duke theksuar se kjo nuk është thjesht meritë e natyrës, por e punës së vazhdueshme për të promovuar vendin.
“Kur na e fali Zoti këtë vend të bukur, pse nuk vinin turistët përpara se të vinte PS bashkë me mua në qeveri? Deti, malet dhe lumenjtë kanë qenë aty gjithmonë. Pse disa vite më parë Shqipëria ishte e njohur vetëm për plehrat dhe të zezat, ndërsa sot është destinacion turistik? Sepse ne kemi përmbysur këtë histori,” tha Rama.
Ai përfundoi duke thënë se qeveria e tij do të vazhdojë të punojë për ta çuar Shqipërinë drejt ditëve më të mira, duke e bërë atë gjithnjë e më tërheqëse për turistët dhe investitorët e huaj.