Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke refuzuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Megjithatë, avokati i Veliajt, Maks Haxhia, ka deklaruar se çështja do të kalojë në Gjykatën e Lartë, ku shpreson se kërkesa e kryebashkiakut për të dalë nga qelia do të pranohet.
“Presim që Gjykata e Lartë të pranojë kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë të Erion Veliajt, sepse nuk ka asnjë kriter ligjor për ta mbajtur në burg një person të tillë”, tha avokati Haxhia. Ai sqaroi se provat e reja të paraqitura nga SPAK nuk kanë ndikuar në vendimin e Apelit, duke theksuar se materialet janë të njëjta me ato që ishin përdorur në shkallën e parë.
Lidhur me pretendimet e SPAK për intimidim, Haxhia e hodhi poshtë përdorimin e këtij termi, duke theksuar se ky nuk është një kriter për masën e arrestit. “Intimidimi është një term që nuk është procedurial. Ligji nuk e njeh atë si kriter për masën e arrestit”, tha ai.
Në lidhje me përgjimet ambientale të bëra ndaj Veliajt dhe familjarëve të tij, avokati Haxhia e komentoi këtë çështje duke ngritur shqetësime për përgjimet që ndodhin në nivele të larta të shtetit. “Nëse është e vërtetë ajo që ka ndodhur me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, kjo është një situatë skandaloze. Duhet të alarmohemi për këtë, pasi kur vendet më të larta të shtetit janë të vëna nën përgjim, imagjinoni se çfarë ndodh me ne të tjerët”, përfundoi avokati i Veliajt.