Apeli i GJKKO-së merr vendimin për sekuestro në llogaritë bankare të Ajola Xoxës
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli vendimin e saj në lidhje me ankimin e Ajola Xoxës dhe dy shoqërive të saj tregtare, që kërkuan heqjen e masës së sigurimit pasuror për llogaritë bankare.
Më 13 mars 2025, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, vendosi të miratojë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që caktonte sekuestro preventive mbi llogaritë bankare.
Gjykata e Apelit e refuzoi kërkesën për heqjen e sekuestros dhe e la në fuqi vendimin nr. 98 Akti të datës 10 shkurt 2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Pala ankimuese ka të drejtën të paraqesë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit.
NJOFTIMI I PLOTE:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues monokratiktë përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025,shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 11, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “***” sh.p.k.,Shoqëria “***” sh.p.k.,me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 98 Akti, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur mecaktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi llogaritë bankare”,dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 98 Akti, datë 10.02.2025të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.