Apeli i Gjykatës së Posaçme ka marrë vendimin për autorët e ekzekutimit të dy vëllezërve Haxhia, si edhe Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias.
Dy të pandehurit Enver Diva dhe Klevis Alla ankimuan vendimin e GJKKO-së që i shpalli fajorë për katër vrasjet të ndodhura në harkun kohor të një muaji në vitin 2020.
Apeli i GJKKO shpalli fajtor Klevis Allën për akuzat janë; “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” ; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;dhe “Vjedhja”,
Ndërsa pushoi çështjen ndaj tij për akuzën “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, duke lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg ndaj tij.
Gjithashtu u lanë në fuqi dënimet për Besian Xhixha me Enver Divën, përkatësisht 6 dhe 5 vjet, për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si edhe shpalljen të pafajshëm të Altin Ndocit.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 14.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.09.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehurve K.A., E.D., kundër vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.N., për veprën penale “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave B.H., V.H., D.Sh., A.A., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 79/d/dh, 278/1, në lidhje me nenet 28, pika 4, 334, pika 1 të Kodit Penal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
1.1. Heqjen e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për të pandehurin A.N.dhe lirimin e tij të menjëhershëm, nëse nuk mbahet me masë sigurimi “arrest në burg” për ndonjë fakt tjetër penal.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A.për veprën penale të “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave B.H., V.H., D.Sh., A.A., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar përkatësisht nga nenet 79/d/dh, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
2.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 vjet burgim.
2.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
2.4. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 80 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
2.5. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Vjedhja” në bashkëpunim, në dëm të viktimave M.J. dhe A.Ç., parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
2.6. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit K.A. me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
2.7. Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri K.A., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh.për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
3.1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh.për veprën penale të “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
3.2. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit B.Xh. me 6 (gjashtë) vjet burgim.
3.3. Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri B.Xh., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit E.D.për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
4.1. Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri E.D., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.
- 5. Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, lidhur me provat materiale të sekuestruara gjatë hetimeve gjykata disponon si më poshtë:
5.1. Në bazë të nenit 190 gërma a) të K.Pr.Penale, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të provave materiale:
– Një çelës i automjetit Benz Mercedez, me targa ***, sekuestruar të pandehurit B.Xh., dokumentacioni i këtij mjeti, si leje qarkullimi, certifikatë pronësie, certifikatë kontrolli Teknik, deklarate zhdoganimi, policë për sigurimin e mjetit të ***, datë 01.092019 si dhe automjeti me targa ***;
– Telefoni celular IPHONE 6 i shtetasit K.A.”, me numër *** dhe numër IMEI ***;
– Dylbi Nigt Vision të futur në një këllëf të zi;
5.2. Mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit:
– DVR me pamje filmike të administruar te Farmaci ***.
– Cd-të e ardhura nga Kompanitë telefonike, Vodafone, Ame etj, të cilat janë bashkëlidhur fashikujve.
-Cd-të e pamjeve filmike të sekuestruara, të cilat ndodhen bashkëlidhur fashikujve
-Kuti amballazhi me provat materiale të administrura gjatë kqyrjes së Servis ***, me nr.3505 DR
– Kuti amballazhi e provat materiale të administruara gjatë kqyrjes së Servis ***, me nr.3297 DR
– 4 (katër) katër telefona celularë të sekuestruar viktimave V. dhe B.H. dhe 2 (dy) telefona celularë të sekuetruar viktimës D.Sh. dhe 2 Dvr ku ndodhen aktet e ekspertimit,
– Një kuti me thërrmija xhami të sekuestruara në vendngjarje e datës 02.03.2020,
5.3. Në bazë të nenit 190 gërma c) të K.Pr.Penale, provat materiale të mëposhtme të asgjesohen:
– Dy targat ***;
– Një pistoletë e djegur me mbishkrimin në anë e djathtë të djepit luajtës STEYR C9-Al e cila në anën e majtë ka të stampuar STYER MANLICHER AUSTRIA 9X19;
– Një pistoletë e djegur ku në anën e majtë të kapakut të kutisë qytës ka mbishkrim C2 100 CAL 9 LUGER dhe MADE IN CZHEH REPUBLIC;
– Tre armë zjarri me Nr. 069087-88, Nr .818-95, 14186575 si dhe 50 fishekë sekuestruar në Bregun e Kanalit, Rrashbull Durrës.
5.4. Në bazë të nenit 190 gërma ç) të K.Pr.Penale, t’i kthehen të pandehurit A.N., provat materiale të mëposhtme:
– 7 (shtatë) telefona celularë të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A.N. dhe një kuti telefoni Samsung.
- 6. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, iu ngarkohen të pandehurve deklaruar fajtorë, solidarisht.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Prishjen e pjesshme të Vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe pushimin e çështjes penale për sa i përket të pandehurit Z. K.A. lidhur me akuzën për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal.
- Lënien në fuqi të Vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër të tij.
- Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve apelues.
- Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimi të tij.