Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për ish-gjyqtaren Zamira Vyshka dhe avokatin Ilir Pashaj!

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka, e dënuar për korrupsion pasiv. Ajo është dënuar me 2 vite burg, por dënimi i është pezulluar dhe do të qëndrojë në provë për një periudhë dyvjeçare, me detyrimin për të mos kryer vepra të tjera penale dhe për të mbajtur kontakte me Shërbimin e Provës.

Po ashtu, Apeli la në fuqi edhe ndalimin për ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh për Vyshkën.

Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe avokati Ilir Pashaj, i cili akuzohej për korrupsion aktiv. Edhe për të, Apeli la në fuqi vendimin e lirimit të menjëhershëm, nëse nuk është i ndaluar për vepra të tjera penale.

Në vendim përfshihen edhe dënimet për disa të pandehur të tjerë në këtë çështje, ndërsa të gjithë janë shpallur fajtorë për korrupsion ose moskallëzim krimi. Të gjithë kanë përfituar ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Shpenzimet gjyqësore dhe procedurale i janë ngarkuar të pandehurve në mënyrë solidare.