Apeli e dënon Ervin Salianjin me 1 vit burg
Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me 1 vit burg për çështjen “Babalja”.
Kujtojmë se deputeti demokrat u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në Maj të vitit 2018.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin.
Në sallën e gjyqit, Salianji shoqërohej nga kolegët e tij deputetë të Partisë Demokratike.
Më i revoltuari nga të gjithë ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili akuzoi një nga gjyqtarët se për të ushtruar detyrën e tij në Gjykatën e Lartë bëri dhënien e këtij vendimi.
Pas daljes nga Gjykata e Apelit, deputeti i PD Ervin Salianji deklaroi se vendimi i marrë sot është krejtësisht politik. Ai hodhi akuza ndaj Partisë Socialiste, veçanërisht ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj duke theksuar se ai e dërgoi vendimin “me vulë përmes avokatit të tij”.
“Vendimarje politike, dënim politik. Dënim i parë për agjitacion e propagandë në 32 vite. Unë nuk kam bërë një betejë për veten, për interesa personale, për të vjedhur, për trafik droge, për të vrarë, por një betejë kundër maskarenjve në këtë vend. Ky është akti i parë, në të ardhmen do keni procese të tjera gjyqësore mamale. Jo babale! Kjo nuk është asgjë. Jam i nderuar dhe kam një medalje që shndrit në karrierën politike. Do i hyjmë procesit me themel”, deklaroi demokrati.
Do ta bëj fushatën nga burgu”. Kështu u shpreh deputeti demokrat Ervin Salianji, pasi mori vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi dënimin me 1 vit burg të dhënë nga Shkalla e Parë, për akuzën e shpifjes në lidhje me dosjen “Babale”.
“Betejën do ta vijoj, me të gjitha format. Do të ndjekim të gjithë procedurat e tjera gjyqësore. Kjo është një vendimmarrje që në gjykatat shqiptare nuk ka asnjë gjasë që të ndryshohet. Fatmir Xhafa është njeriu që përdoret nga Edi Rama kundër përfaqësuesve ndërkombëtar e do që të kapë SPAK, apo ishujt e pakapur ende prej tij në gjyqësor. Kjo ishte vendimmarrja. Procedura nuk varet nga unë. Unë do të jem në dispozicion, do të jem këtu. Kam pasur për të zhvilluar një takim në Bruksel, do t’i anuloj të gjitha”, tha ai.