Anulimi i mbledhjes së përbashkët, reagon qeveria e Kosovës: Nesër do të duhej të…
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja e përbashkët me Shqipërinë është anuluar në mënyrë të njëanshme nga kjo e fundit. Zëdhënësi i qeverisë kosovare, Përparim Kryeziu ka thënë për Kosova Press se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër të mundshme.
“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë në një prononcim.
Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp duke konfirmuar anulimin e mbledhjes së përbashkët. Rama deklaroi se mbledhja e përbashkët nuk mund të mbahej në kohën kur “Kosova po digjet në reputacionin ndërkombëtar” dhe për këtë arsye kishte kërkuar një takim të ngushtë me Kurtin.