Antonio Costa në Samitin e Tiranës: Duhet të jemi të bashkuar, autoriteti i BE-së në rrezik pa paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në nisje të Samitit të Komunitetit Politik Europian që po zhvillohet në Tiranë, ka bërë thirrje për unitet dhe përkushtim të përbashkët për paqe, duke e cilësuar sigurinë e Ukrainës si pjesë të sigurisë së vetë Europës.

“Duhet të jemi të bashkuar dhe Europa duhet të arrijë të sjellë një paqe afatgjatë për Ukrainën. Siguria juaj është edhe siguria jonë, i dashur Vladimir,” u shpreh Costa, duke iu drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili është gjithashtu pjesëmarrës në samit.

Costa theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërhyrjes europiane për paqe në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se dështimi për të vepruar do të minonte jo vetëm sigurinë e kontinentit, por edhe autoritetin moral dhe politik të Europës në skenën ndërkombëtare.

“Duhet t’i dalim mbanë për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme. Nëse nuk e bëjmë, minohet siguria jo vetëm e Europës, por edhe autoriteti i saj,” shtoi ai.