Ankimoi kontrollin e vilave, ja kush do ta shqyrtojë kërkesën e Ahmetajt (EMRI)

Pak ditë më parë, SPAK ka vënë nën sekuestro dy vila të ish-ministrit Arben Ahmetaj , një në Palasë dhe një në zonën e Hamallajt, të cilat janë në pronësi të partneres aktuale dhe të ish-gruas.

Por ish-ministri nuk ka qenë dakord për kontrollet në shtëpi dhe bashkë me bashkëjetuesen e tij, Erjola Hoxha apeluan në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) vendimet e marra nga SPAK pasi e konsiderojnë të paligjshëm.

Ditën e sotme është caktuar edhe trupa gjykuese që do shqyrtojë ankimimin e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj. Sipas shortit, gjyqtari Dhimitër Lara do shqyrtojë i vetëm apelimin ndaj vendimit që lejoi kontrollin e banesës së bashkëjetueses së Ahmetajt në Hamallaj.

Në kërkesën e dy avokatëve, Henrik Ligori dhe Ardian Visha thuhet se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj, ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi.