Anketimi: Shumica e votuesve thonë se demokracia amerikane është në rrezik

 

Gati tre të katërtat e votuesve në zgjedhjet presidenciale të së martës thonë se demokracia amerikane është nën kërcënim, sipas anketimeve paraprake në nivel kombëtar nga firma “Edison Research”, duke reflektuar ankthin e thellë me të cilin përballet vendi pas një fushate të nxehtë elektorale ndërmjet kandidates demokrate Kamala Harris dhe kandidatit republikan Donald Trump.
Demokracia dhe ekonomia renditen deri tani si çështjet më të rëndësishme për votuesit, me rreth një të tretën e të anketuarve që përmendin secilën, të ndjekur nga aborti dhe emigracioni me 14% dhe 11%, treguan të dhënat. Anketimi tregoi se 73% e votuesve besonin se demokracia ishte në rrezik, kundrejt vetëm 25% që thanë se ishte e sigurt.

Të dhënat nënvizojnë shkallën e polarizimit në një vend, ndasitë e të cilit vetëm u theksuan gjatë një gare të ashpër konkurruese. Ish-Presidenti Trump ka përdorur një retorikë gjithnjë e më të errët dhe apokaliptike përgjatë fushatës, ndërsa ka nxitur frikën e pabazë se sistemit zgjedhor nuk mund t’i besohet. Nënpresidentja Harris u ka kërkuar amerikanëve të bashkohen, duke paralajmëruar se një mandat i dytë i ish-Presidentit Trumpit do të rrezikonte themelet e demokracisë amerikane.
Shifrat përfaqësojnë vetëm një pjesë nga dhjetëra miliona personat që kanë votuar, si përpara ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, dhe rezultatet paraprake mund të ndryshojnë gjatë natës, ndërsa më shumë njerëz janë duke u anketuar.

44% e votuesve u shprehën për ish-Presidentin Trump në mënyrë të favorshme, krahasuar me 46% në anketimet pas votimit në vitin 2020, kur ai humbi përballë Presidentit Joe Biden. Nënpresidentja Harris u perceptua në mënyrë të favorshme nga 48% e të anketuarve, krahasuar me vlerësimin prej 52% për Presidentin Biden në vitin 2020.

Zonja Harris po mbështetej tek një pjesëmarrje e madhe nga gratë votuese, për të kompensuar dobësinë e saj elektorale me burrat. Anketimet treguan se gratë përbënin 53% të elektoratit, përgjithësisht e pandryshuar nga 52% në anketimet e vitit 2020.
Sipas të dhënave, përqindja e votuesve pa arsim të lartë – të cilët kryesisht favorizojnë ish-Presidentin Trump – ishte 57%, pra më pak se në vitin 2020, kur ishin 59%.

Dy rivalët po ecnin drejt një përfundimi të pasigurt të martën pas një fushate intensive, ndërsa miliona votues amerikanë prisnin në radhë të qeta dhe të rregullta, për të zgjedhur ndërmjet dy vizioneve të ndryshme për vendin.
Kjo ishte një garë zgjedhore e nxitur nga ngjarje të paprecedenta – dy atentate ndaj ish-Presidentit Trump, tërheqja e papritur e Presidentit Biden dhe ngritja e shpejtë e Nënpresidentes Harris. Gara mbeti e ngushtë pas miliarda dollarësh shpenzimesh dhe muajsh fushate të furishme.

Ish-Presidenti Trump, i cili ka përhapur shpesh pretendime të pavërtetuara se ai fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe mbështetësit e të cilit sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara më 6 janar 2021, votoi pranë shtëpisë së tij në Palm Beach, Florida.

Anketimet pas votimit regjistrojnë variacionet e pjesëmarrjes në grupe të ndryshme demografike, si p.sh. burrat përkundër grave, ose votuesit me arsim të lartë kundrejt votuesve jo të arsimuar, dhe mund të ofrojnë njohuri se si ka ndryshuar pjesëmarrja krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Një avantazh kryesor i anketimeve është se të gjithë personat e anketuar, janë njerëz që kanë votuar në këto zgjedhje.
Anketimet e opinionit përpara zgjedhjeve treguan se kandidatët ishin me rezultat të ngushtë në secilin nga shtatë shtetet që mund të përcaktojnë fituesin: Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin.

Check Also

Si rrallëherë seriali ‘Simpsons’ dështon në parashikimin e fitores së Kamalas ndaj Trump (fotot)

Seriali misterioz amerikan Simpsons duket se ka dështuar për herë të parë në parashikimet e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *