Anije me emigrantë mbërrin sot në portin e Shëngjinit, do të sistemohen në qendrën e Gjadrit

Një anije me 15 emigrantë pritet të mbërrijë sot rreth orës 18:00 në portin e Shëngjinit, pas kthimit të tyre nga Italia, ku u është refuzuar kërkesa për azil.

Sipas burimeve zyrtare, emigrantët do të priten fillimisht në qendrën pritëse të Shëngjinit, ku do t’u bëhen verifikimet përkatëse nga autoritetet shqiptare. Pas kësaj procedure, ata do të transferohen në qendrën akomoduese të Gjadrit për të vijuar më tej trajtimin sipas marrëveshjeve përkatëse ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Kthimi i emigrantëve është pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të emigracionit dhe sigurisë kufitare. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi kombësinë apo gjendjen shëndetësore të personave që ndodhen në bord.