Anija stërvitore e Marinës Meksikane përplaset me Urën e Bruklinit, dy të vdekur dhe 19 të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën 19 të tjerë janë plagosur pas përplasjes së anijes stërvitore të Marinës Meksikane, “Cuauhtémoc”, me Urën e Bruklinit në New York City, mbrëmjen e së shtunës.

Sipas kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams, anija humbi papritur energjinë elektrike para përplasjes, duke bërë që direkët gjigantë të saj të godasin pjesën e poshtme të urës teksa po kalonte nën të. Në bord ndodheshin gjithsej 277 persona.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë momentin kur direkët e lartë të “Cuauhtémoc” prekin strukturën e urës, duke shkaktuar një kaos të madh mbi kuvertë. Zyrtarët amerikanë thanë se disa anëtarë të ekuipazhit ndodheshin mbi direkë në momentin e përplasjes, duke shkaktuar dëmtime të rënda kur ato u thyen dhe ranë në kuvertë.

Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e aksidentit.