VIDEO/ Anglia shumë e fortë për Shqipërinë! Rekordet dhe vetëm dy gola nuk demoralizojnë kuqezinjtë
Anglia konfirmohet tabu për Shqipërinë.
Ëndrra për tu kualifikuar në Kupën e Botës 2026 nisi me një humbje për kuqezinjtë tanë. Ashtu siç edhe në letër, “tre luanët” treguan se janë skuadra për tu mposhtur në kontinentin e vjetër. Nga një gol për çdo pjesë i mjaftuan anglezëve për të fituar 2-0 dhe vijuar me këmbë të mbarë aventurën në kualifikueset e Botërorit të ardhshëm. Fitore e vulosur nga debutuesit, për Skelly në fushë dhe Thomas Tuchel në stol.
Mbrojtësi shënoi gol në takimin e parë me kombëtaren, për të festuar siç duhet eksperiencën në përfaqësuese. Vetëm 18-vjeçar dhe u bë lojtari më i ri anglez që shënon në debutim me kombëtaren. Dominim absolut i Anglisë, që në 45 minutëshin e parë vendosi edhe një rekord. plot 437 pasime, në një lojë tepër dëhese për skuadrën e Sylvinhos. Rasti më i mirë për të shënuar për kuqezinjtë tanë ishte në të 28-ën minutë, por mosmarrëveshjet mes Burn dhe Pickford nuk u shfrytëzuan siç duhet.
Në fraksionin e dytë, Sylvinho tentoi të ndryshojë ritmin, për të hedhur në fushë Brojën në vend të Bajramit. Cilësitë e sulmuesit vendosën në vështirësi prapavijën e anglezëve, gjithsesi pa rezultat. Atë që nuk e bën Broja por edhe Asani e bën i përhershmi te Anglia, Harry Kane. Ajeti nuk gjeti kohën për të ndaluar krosimin dhe në zonën e vogël, 31-vjeçari i Bayern e kishte tepër të lehtë për të shënuar dhe për t’i dhënë fitoren e 7-të në po kaq sfida direkt anglezëve. Një fitore komode për ta, megjithatë jo për të demoralizuar kombëtaren tonë.