Anëtarësimi në BE, Shqipëria hap negociatat për grup-kapitullin ‘Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse’!

Në Bruksel u zhvilluar Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.

Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.

“Shqipëria qëndron përkrah BE-së dhe BE-ja qëndron përkrah Shqipërisë.  Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër. Rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.” shkruan Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani.