Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar vizitën e saj të parë zyrtare në këtë vend.
Kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi proçesin e anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore si ajo në drejtësi. Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve të deritanishme përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme në reformat e kërkuara.
Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryenegociatoren Majlinda Dhuka; me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali si dhe përfaqësues të opozitës. Ajo do të takojë drejtuesit e institucioneve të pavarura shqiptare të drejtësisë si dhe me ato nga organizata të shoqërisë civile. Komisionerja Kos do t’u drejtohet studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës si dhe do të shkëmbejë pikpamje mbi rolin dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Komisionerja Kos do të vizitojë edhe tre projekte të financuara nga BE në Elbasan. Një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama është planifikuar për në 13 mars në orën 10:10.