Andrew Tate merr dhuratë një Tesla Cybertruck me targa shqiptare: Duhet të janë çunat e Londrës, ata kanë shumë para
Andrew Tate, influencuesi i njohur britaniko-amerikan, ka habitur ndjekësit e tij pasi ka zbuluar se ka marrë dhuratë një Tesla Cybertruck me targa shqiptare, ndonëse nuk di kush ia ka dërguar. Automjeti luksoz është parë i parkuar në pronën e tij dhe është regjistruar në emrin e tij, por Tate mohon të ketë lidhje me blerjen.
“Nuk e kam blerë vetë. Nuk më pëlqejnë makinat elektrike. Nuk e di kush e ka sjellë, edhe pse është në emrin tim. Pse ka targa shqiptare? Janë çunat e Londrës. Ata kanë shumë para,” – tha Tate në një postim, duke shtuar se “në Shqipëri çdo gjë është legale me para.”
Ai shton se ishte i befasuar që Cybertruck lejohet në Europë, duke pretenduar se mjeti nuk është në përputhje me rregulloret për sigurinë rrugore për shkak të cepave të mprehtë. “Shqiptarët duhet ta kenë bërë. Të vetmit shqiptarë që njoh janë nga Londra,” përfundon ai.
Çmimi i një Tesla Cybertruck në SHBA varion nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë, por sipas Tate, personi që ia ka dhuruar thuhet se ka paguar deri në 700 mijë dollarë për ta sjellë në Europë dhe për ta regjistruar me targa shqiptare.
Kujtojmë që Andrew Tate dhe vëllai i tij janë aktualisht të akuzuar për trafikim njerëzor dhe përfshirje në një organizatë kriminale, ndërkohë që mbeten aktivë në rrjetet sociale ku kanë miliona ndjekës.