Analiza: Frika nga liberalizimi i vizave, Kosova rrezikon të mbetet pa rini dhe fuqi punëtore

Kosova duket se viteve të ardhshme do të ketë më pak banorë. Ikja e tyre në vende të ndryshme të botës, po parashikohet të ndodh tash kur vizat janë hequr. Frika është rritur se Kosova do të mbetet pa rini dhe fuqi punëtore

Qytetarët e Kosovës tashmë kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Ky proces solli edhe shqetësime për ndikimin që mund ta ketë liberalizimi i vizave te migrimi i të rinjve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi.

Banka Botërore ka treguar se sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën.

Nëpër të njëjtën fazë kaluan edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fituan të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër Schengen në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina një vit më vonë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se liberalizimi i vizave do ndikojë edhe në sektorin privat.

Sipas tij, pronarët e kompanive të ndryshme, gjashtëmujorin e parë të këtij viti e kanë një lloj testi si mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës para se të ketë mungesë të fuqisë punëtore.