Në mandatin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi forcoi sanksionet ekonomike kundër Koresë së Veriut në përpjekje për ta detyruar atë të hiqte dorë nga programi i armëve bërthamore. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Young Gyo Kimi hedh një vështrim asaj se çfarë duhet të presë zoti Trump nga Pheniani, në mandatin e tij të dytë.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un shfrytëzoi një ekspozitë ushtarake për të bërë komentet e tij të para lidhur me Shtetet e Bashkuara që kur Donald Trump u zgjodh President, duke thënë se negociatat e kaluara konfirmuan atë që ai e cilësoi armiqësi të “pandryshueshme” të Uashingtonit ndaj Phenianit. Udhëheqësi Kim u zotua se do të zgjerojë “pa kufi” aftësitë bërthamore të Koresë së Veriut si mënyra e vetme për të kundërshtuar kërcënimet e jashtme. Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Aziatike, Evans Revere mendon se Kim Jong Un është sot për zotin Trump një kundërshtar krejtësisht ndryshe nga koha kur ata u takuan për herë të fundit në vitin 2019.
“Kim Jong Un beson se ka më shumë fuqi. Dhe besoj se pjesë e kësaj dore më të fortë është marrëdhënia e tij e re me rusët”.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se aktualisht në Rusi gjenden më shumë se 10,000 trupa të Koresë së Veriut që e ndihmojnë atë në luftën kundër Ukrainës.
Ministri rus i Mbrojtjes Andrei Belousov ishte në Phenian muajin e kaluar, për të forcuar traktatin e partneritetit strategjik që sipas ministrit ul rrezikun e luftës në gadishullin Korean.
Të bëra bashkë, Rusia dhe Koreja e Veriut paraqesin rrezik për paqëndrueshmëri më të madhe, thotë ish-oficeri i inteligjencës kombëtare amerikane për Korenë e Veriut, Sydney Seiler.
“Kjo po bëhet një aleancë ushtarake që paraqet rrezik afatshkurtër dhe afatgjatë, rrezik për zgjatjen e luftës në Ukrainë, destabilizimin e Gadishullit Korean, pra, paqëndrueshmërinë e komunitetit ndërkombëtar”, thekson ai.
“Me të gjitha gjërat që Kim Jong Un është në gjendje të marrë nga miku i tij i ri më i mirë Vladimir Putin, pse do t’i drejtohej Donald Trumpit?”, thotë Sydney Seiler, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Në mandatin e tij të parë, Trump punoi me udhëheqësit e Koresë së Jugut në përpjekje për të frenuar programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut.
Në mandatin e dytë ai do të përballet me një Kore të Veriut që ka përjashtuar mundësinë e reduktimit apo heqjes dorë nga armët bërthamore, thotë zoti Revere.
“Ajo që koreano-veriorët synojnë është që të pranohet, ose të paktën Shtetet e Bashkuara ta pranojnë, se Koreja e Veriut është një fuqi bërthamore, legjitime dhe se dy vendet duhet të ulen së bashku dhe të bisedojnë se si mund të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin”, thekson ai.
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve amerikane presidenciale, Koreja e Veriut provoi një raketë të re balistike ndërkontinentale që mund të arrijë në pjesën më të madhe të territorit të Shteteve të Bashkuara./voa