Analiza e Reuters/ Plani i ri i Komisionit Evropian: Bllokadë ndaj gazit rus deri në vitin 2027, shqetësime për ndikimin ekonomik

Komisioni Evropian pritet të paraqesë një plan të ri për të ndërprerë plotësisht marrëdhëniet energjetike me Rusinë, duke ndaluar marrëveshjet e reja për importin e gazit dhe duke kërkuar ndërprerjen graduale të kontratave ekzistuese deri në fund të vitit 2027. Ky është hapi më i fundit i Brukselit në përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia historike ndaj furnizuesit dikur më të madh të gazit në Evropë.

Sipas një analize të Reuters, plani përfshin lehtësimin e prishjes së kontratave të gazit me Gazprom-in nga kompanitë evropiane, pavarësisht vështirësive ligjore që kjo sjell, si dhe përpjekje për të zëvendësuar gazin rus me burime alternative si LNG-ja amerikane. Ndërkohë, Komisioni ka theksuar se çdo masë e re duhet të dëmtojë më shumë ekonominë ruse sesa atë evropiane dhe të mos rrisë kostot për konsumatorët.

Për momentin, rreth 19% e gazit natyror që konsumon BE vjen ende nga Rusia, kryesisht përmes gazsjellësit TurkStream dhe dërgesave me gaz natyror të lëngshëm (LNG), një rënie nga 40% që ishte përpara nisjes së luftës në Ukrainë. Kontratat e tipit “merre-ose-paguaj” që vazhdojnë të ekzistojnë me Gazprom-in e bëjnë të vështirë ndërprerjen e menjëhershme të këtyre marrëveshjeve.

Megjithatë, sanksionet e drejtpërdrejta ndaj gazit rus mbeten të pamundura për momentin, pasi kërkojnë konsensus unanim në BE, ndërsa vende si Sllovakia dhe Hungaria i kundërshtojnë fort këto masa. Komisioni synon të paraqesë propozime legjislative për këtë plan në muajt e ardhshëm, me miratimin që do të kërkojë shumicën e kualifikuar të vendeve anëtare dhe Parlamentin Evropian.