AMP pezullon nga detyra dy punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre 

 

AMP pezullon nga detyra dy punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre.  Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas një hetimi të thelluar në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin penal të kësaj Gjykate, e cila ka vendosur:

1.Masën e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit” për Arta Shurbi 50 vjeçe, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”;

2.Masën e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për Zyber Halili 57 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata ka vendosur “Hetim në gjendje të lirë” për shtetasen Denisa Gerdeci 32 vjeçe, e dyshuar për kryerjen e veprës penale ”Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Punonjësit e policisë dyshohet se nuk kanë kryer veprimet e duhura proceduriale në përputhje me Kodin Rrugor, për trajtimin e një aksidenti në aksin rrugor Karreç – Tiranë. Nga hetimet e kryera rezulton se edhe pse kanë marrë dijeni për ngjarjen, ata kanë fshehur provat e faktet penale për aksidentin, duke mos marrë masa për përcaktimin e fajësisë, për të shmangur shkelësin nga përgjegjësia penale dhe administrative.