Amnistia penale, Manja: Përfitojnë 700 të burgosur dhe 2500 në shërbim prove, nuk përfshihen të dënuarit nga GJKKO
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, prezantoi të mërkurën para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, projektligjin për dhënien e amnistisë. Ministri Manja deklaroi se nga miratimi i amnistisë do të përfitojnë më shumë se 3 200 persona, 700 prej të cilëve në burg dhe pjesa tjetër në shërbim prove
Manja shtoi se amnistia penale i vjen në ndihmë problemit të mbipopullimit, pasi sipas tij, burgjet janë të mbipopulluara dhe se kanë mbi 190 të paraburgosur më shumë sesa kanë kapacitete.
“Nga ky projektligj do të përfitojnë mbi 700 të burgosur. Kjo amnisti mbështetet në parimin e humanizimit, arritja e qëllimit të rehabilitimit, mundësi për riintegrim më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra, por pse jo dhe për zgjidhjen e problemit të mbipopullimit në sistemin penitenciar, duke rritur efikasitetin e këtij sistemi”, tha Manja.
“Të dhënat janë, jo më larg se të ditës së djeshme. Aktualisht në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, ne kemi 5 818 personash që mbahen në sistemin penitenciar, 2 204 janë të dënuar, 3 150 janë të paraburgosur dhe 458 persona janë me masa mjekësore sigurisht në zbatimit të një vendimi gjykate”, tha Manja.
“Në këto shifra nuk përfshihen personat në shërbim prove, ku janë 11 290 persona. Kjo është gjendja dhe situata që kemi sot në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, përfshirë dhe shërbimin e provës. Miratimi i amnistisë pra vjen si një masë e domosdoshme që na krijon mundësi për një menaxhim siç duhet të sistemi, pasi jemi në gjendje mbipopullimi”, tha ai.
“Nga kjo amnisti përfitojnë sipas 700 persona të dënuar dhe 2 500 persona në shërbim prove. Edhe amnistia ka kufizimet e veta dhe kategoritë e personave që nuk përfitojnë nga amnistia. Nuk përfitojnë të dënuarit për veprat penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, vrasja, plagosja e rëndë, dhuna në familje e një kategori e veprave penale të terrorizmit. Po ashtu janë përjashtuar ata të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit”, pra ata që janë dënuar nga GJKKO”, tha Manja.
“Pavarësisht kësaj amnistie, do të përfitojnë 1 vit e gjysmë ulje dënimi për të gjitha gratë dhe fëmijët, dhe 1 vit ulje të gjithë burrat. Përfitojnë të gjithë ata që kanë një vendim të Gjykatës brenda datës 30/11/2023”, shprehet Manja.