“Amnistia, akt jo transparent”, Gazment Bardhi: Ne do vazhdojmë aksionin në Kuvend
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike tha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së se opozita do të vijojë aksionin e saj në parlament.
Bardhi tha se nuk do ta votojnë draftin për amnistinë, pasi sipas nuk pati asnjë akt konsensual nga ana e qeverisë për të dalë me një draft të përbashkët
“Amnistia është kthyer në një akt jo-transparent, ku secili në mënyrë të fshehtë dhe larg vëmendjes së opinionit publik, shton dhe heq sipas interesit të tij. Ne prej muajsh jemi në një aksion brenda kuvendit të Shqipërisë.
Amnistia është një akt humanizmi i deputeteve të kuvendit të Shqipërisë dhe duhet të qendrojë larg sherrnajës mazhorancë-opozitë, por këtë herë nuk ka patur asnjë akt konsensual, për dalë me një draft të përbashkët e për u votuar”,-tha Gazment Bardhi
Ai tha gjithashtu se aksioni opozitar do të vijojë, ndërsa shprehu shqetësimin për nënkomisionin për auditim parlamentar, i cili sipas deputetit Bardhi synon të marrë nën kontroll Kontrollin e Lartë të Shtetit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një goditje në raport me respektin apo me garancitë që institucion do duhet të japë sa i takon respektimit të kushtetutës. Unë dënoj ndërhyrjen e kabintetit të kryeministrit në anëtarë të veçantë të Gjykatës Kushtetuese.
Dua të rikonfirmoj vendimin e sotëm të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të vijuar aksionon tonë në parlament deri në përmbushjen e kërkesave legjitime të deputetëve të opozitës.
Sa i takon së pari, ngritjes së komisioneve hetimore për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën ndaj ekzekutivit dhe së dyti për të çuar përpara reformën zgjedhore, përmes një komisioni që legjitimon opozitën dhe mazhorancën sipas pozicioneve që ata kanë brenda Kuvendit.
Së fundmi dua të shpreh shqetësimin për nënkomisionin për auditim parlamentar që synon të marrë nën kontroll Kontrollin e Lartë të shtetit. I bëj thirrje maxhorancës të heqë dorë nga tentativat për të kontrolluar gjithçka, është e paprecedentë që mazhoranca të ndërhyjë në Kontrollin e Lartë të Shtetit”,-u shpreh Gazment Bardhi.