“Amerigo Vespucci”, anija më e bukur në botë do zbarkojët në Durrës! Promovon nisjen e “Giro d’Italia 2025” nga Shqipëria

Anija italiane “Amerigo Vespucci”, e konsideruar si më e bukura në botë, pritet të mbërrijë në portin e Durrësit në kuadër të një turi në Mesdhe. Ndalesa në Shqipëri do të jetë e para nga dy të planifikuara jashtë vendit, përpara vizitës në Valetta të Maltës nga 25 deri më 29 prill.

Vizita e “Vespuccit” do të shërbejë edhe për promovimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive të vitit të ardhshëm: Giro d’Italia 2025, i cili do të nisë për herë të parë nga Shqipëria.

Më 8 prill, në bord pritet të zhvillohet një takim mes ministrit italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, dhe homologut të tij shqiptar. Në të njëjtën ditë janë planifikuar edhe disa aktivitete institucionale me praninë e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, më 9 prill do të mbahet konferenca për shtyp, ku do të prezantohet zyrtarisht gara Giro d’Italia 2025, me fillimin e saj historik nga Shqipëria, duke e kthyer vendin në epiqendër të vëmendjes ndërkombëtare sportive.