Amber rrëfen pendesën për daljen nga Big Brother: Nëna ime kaloi atak kardiak, dua të rikthehem me një kusht
Amber, ish-banore e “Big Brother VIP Albania”, ka rrëfyer emocionet dhe ngjarjet që e kanë shoqëruar pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri. Në një deklaratë, ajo tregoi se është penduar për largimin e saj dhe shprehu dëshirën për t’u rikthyer, por me një kusht të veçantë: rikthimi të vendoset nga publiku përmes votës.
Amber zbuloi se gjatë kohës që ajo ishte në “Big Brother”, nëna e saj kaloi një atak kardiak. Megjithatë, nëna kishte kërkuar që produksioni të mos ia tregonte këtë lajm për të mos ndërprerë rrugëtimin e saj.
“Nëna ime kishte kaluar një atak kardiak, por kishte kërkuar që të mos më tregohej asgjë sepse nuk donte që të ndikohej përvoja ime në shtëpi. Ajo më ka thënë ‘vajza ime ka kaluar shumë për të qenë aty ku është’. Sot është mirë dhe thotë se është krenare për mua”, tregoi Amber.
“Publiku të vendosë rikthimin tim”
E emocionuar dhe e sinqertë, Amber u shpreh se dëshiron t’i rikthehet aventurës së “Big Brother VIP”, por vetëm nëse kjo vendoset nga vota e publikut. “Jam e gatshme të rikthehem, por dua që të jetë publiku ai që më fton sërish. Ata duhet të vendosin nëse meritoj të jem aty”, tha ajo.
Amber mbetet një prej personazheve më të komentuar të këtij edicioni, duke prekur me historinë dhe vendosmërinë e saj. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse publiku do ta kërkojë rikthimin e saj në shtëpinë më të famshme të Shqipërisë.