Ambasadori palestinez shpërthen në lot në OKB: Ndaloni gjenocidin në Gaza, edhe unë kam nipër e mbesa!
Një moment prekës dhe dramatik është regjistruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, shpërtheu në lot ndërsa bënte një apel të fuqishëm për ndalimin e gjenocidit ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës.
Gjatë fjalës së tij, Mansour nuk i mbajti dot emocionet kur foli për skenat e dhimbshme që vijnë çdo ditë nga Gaza: “Nënat që përqafojnë trupat e fëmijëve të tyre të pajetë, u ledhatojnë flokët, u flasin, u kërkojnë falje…”. Në atë çast, ai i drejtohet presidentit të Këshillit me lot në sy: “Edhe unë kam nipër e mbesa. E di çfarë do të thotë kjo për çdo familje. Dhe të shohësh këtë tragjedi pa bërë asgjë është përtej durimit të çdo personi normal.”
Në një ton të ashpër, Mansour akuzoi Këshillin e Sigurimit për mosveprim dhe e quajti situatën “skandaloze”. “Sa të tjerë dëshironi të vriten?”, pyeti ai, duke theksuar se palestinezët po jetojnë në kushte çnjerëzore, të privuar nga uji, ushqimi dhe ilaçet.
Ai u shpreh se Izraeli po përpiqet të krijojë një iluzion për lehtësim të ndihmave humanitare, ndërkohë që në realitet jeta në Gaza është bërë e pamundur: “Nëse Izraeli do të donte me të vërtetë të hynin ndihmat, do të hapte kalimet kufitare dhe do të bashkëpunonte me OKB-në, përfshirë UNRWA-n.”
Në fund të fjalës së tij, Mansour dha një mesazh të fuqishëm që tronditi sallën: “Qëllimi i Izraelit është të na zhdukë, të na vrasë, të na urisë, të na shkatërrojë. Por ne jemi të rrënjosur në Palestinë më thellë se pemët e ullirit romakë. Ne nuk do të largohemi. Ne nuk do të thahemi. Ne do të qëndrojmë. Ju lutem, bëni diçka. Ndalojeni këtë krim kundër popullit palestinez. Ndalojeni këtë gjenocid.”