AmbasadorI i SHBA në Beograd: Herët të thuhet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është…
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Hill tha se nuk e priste “suksesin e plotë” të negociatave dhe se pritja e tij ishte kthimi në tryezën e bisedimeve.
“Tani duhet të shohim [vazhdimin]”, tha ai.
Synimi i dialogut, siç thekson ai, është një zgjidhje politike që pret “dhënie e marrje” nga të dyja palët.
“A mund të arrijmë një situatë ku serbët në Kosovë të ndihen rehat dhe të kenë një lloj Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Dhe së dyti, a mund të arrijë Prishtina atë që dëshiron, që është një rrugë e qartë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, tha Hill.
Ai theksoi se sulmi i armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë është pengesë e madhe për negociatat në Bruksel. Sipas tij, SHBA-ja është duke i monitoruar nga afër hetimet në Beograd dhe Prishtinë.
“Fokusi është të zbulohet saktësisht se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës. Dhe së fundi, të krijohen rrethana, ku kjo nuk mund të ndodhë më”, theksoi ambasadori amerikan.
Radio Evropa e Lirë: Zoti ambasador, le të nisim me bisedimet e djeshme [të Kosovës dhe Serbisë] në Bruksel. Duket se kanë përfunduar pa sukses. A e keni pritur një rezultat të tillë?
Christopher Hill: Nuk kam pritur ndonjë sukses të plotë. Por, sigurisht, kam pritur ca përpjekje për t’u kthyer në elementet thelbësore të dialogut. Në këtë kuptim, ka qenë një takim i rëndësishëm, të dyja palët kanë qenë në takim. Kështu që, do të shohim. Tani për tani, megjithatë, është e qartë se nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet që mbeten në dialog.
Radio Evropa e Lirë: Diplomatët e BE-së dhe SHBA-së thonë gjithashtu se është e rëndësishme që udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të kthehen në rrugën e duhur, të kthehen në tryezë. Por, a është tani koha për një lloj të ri formati, duke qenë se ky nuk po jep shumë rezultate? Pra, si duhet të duket procesi?
Christopher Hill: Nuk dua ta hamendësoj procesin që Bashkimi Evropian ka krijuar. Mendoj se ka marrë shumë vëmendje të madhe në Bashkimin Evropian. Ka qenë e rëndësishme të shihet pjesëmarrja e presidentit të Francës, e kancelarit të Gjermanisë… Pra, mendoj se evropianët kanë kontribuar me një nivel të rëndësishëm përpjekjesh.
Çështja e vërtetë është thelbi i dialogut. A mund të arrijmë në një situatë ku serbët në Kosovë ndihen rehat me rrethinën e tyre dhe kanë një lloj asociacioni të komunave [me shumicë] serbe? Dhe, së dyti, a mund ta arrijë Prishtina atë që do, që është një rrugë e qartë drejt më shumë ndërkombëtarizimi?