Ambasadori i BE, Gonzato: Kishim informacione për përfshirjen e bandave në Durrës dhe Fier, autoritetet do të hetojnë
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar vizita në qendrat e votimit në Durrës dhe Fier, ndërsa më pas ka takuar përfaqësues të Prokurorisë në Fier për të diskutuar situatën e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, Gonzato tha se kishte informacione për përfshirjen e bandave në këto dy qytete dhe theksoi se çështja do të hetohet nga autoritetet përkatëse.
“Isha edhe në Durrës sepse ka pasur informacione sa u përket bandave, ka pasur edhe informacione për në Fier, vendosa që të vija edhe në Fier. Janë autoritetet që do hetojnë, ne po shikojmë situatën,” u shpreh Gonzato.
Ambasadori i BE-së theksoi se kishte zhvilluar takime me prokurorët e Fierit dhe ata të posaçëm për të parë ecurinë e bashkëpunimit mes tyre lidhur me hetimin e krimeve zgjedhore.
“Kemi një mesazh për zgjedhësit, dita sotme është e rëndësishme. Shqiptarët të dalin dhe të votojnë. Sot nuk po bëj vëzhgim zgjedhor, po shkoj në qendra të ndryshme votimi për të parë se si po ecën procesi. Misioni i OSBE/ODHIR po bëjnë një vëzhgim të thellë të zgjedhjeve dhe çdo raportim do të analizohet. Do të jetë ky raport që do të orientojë analizën që do t’i bëjmë ne Shqipërisë,” tha Gonzato.
Ai shtoi se ishte i impresionuar nga bashkëpunimi mes Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe KQZ për hetimin e krimeve zgjedhore, duke theksuar se këto institucione po bëjnë më të mirën për të siguruar një proces të rregullt.