Ambasadorët austriakë në rajon takim me SPAK: Mbështesim reformën në drejtësi

Ambasadorët e Austrisë në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme, ku kanë ritheksuar mbështetjen e tyre për zbatimin e reformës në drejtësi.

Gjatë konferencës së tyre në Tiranë, diplomatët austriakë theksuan rëndësinë e pavarësisë së SPAK në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke e cilësuar atë si një element kyç për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Pak muaj më parë u hap rruga për negociatat gjithëpërfshirëse të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Austria është qartazi e përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe po mbështet, ndër të tjera, zbatimin e reformës në drejtësi”, thuhet në deklaratën e ambasadës austriake në Tiranë.