Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët: Aplikoni vetë për vizën, përdorimi i agjentëve të rremë mund të çojë në refuzim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një njoftim të rëndësishëm në rrjetet sociale, duke paralajmëruar qytetarët shqiptarë të mos bien pre e agjentëve të rremë që ofrojnë ndihmë për aplikimet për viza jo-emigruese.

Në postim theksohet se procesi i aplikimit është i thjeshtë, dhe nuk ka nevojë për ndërmjetës apo agjentë vizash, pasi çdo qytetar mund ta plotësojë vetë aplikimin online, në vetëm tre hapa të lehtë.

“Nuk keni nevojë për një agjent vizash për të aplikuar për një vizë amerikane jo-emigruese. Procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe mund të përfundohet online,” thuhet në njoftim.

Ambasada ngre gjithashtu shqetësimin se përdorimi i agjencive apo individëve që japin informacion të pasaktë apo të rremë mund të ketë pasoja serioze, përfshirë refuzimin e vizës.

“Mos harroni, nëse një agjenci ofron informacion të pasaktë ose të rremë, ju jeni përgjegjës dhe viza juaj mund të refuzohet! Plotësojeni vetë aplikimin tuaj,” paralajmëron Ambasada.

Në përmbyllje të njoftimit, theksohet se Ambasada Amerikane në Tiranë është burimi i vetëm zyrtar për informacione rreth vizave, dhe se të gjitha shërbimet dhe udhëzimet janë pa pagesë, të aksesueshme për këdo.