Ambasada e SHBA paralajmëron aplikantët për viza: Gënjeshtrat dhe shkelja e afateve do të sjellin ndëshkime serioze
Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët që aplikojnë për viza, duke theksuar se çdo gënjeshtër apo shkelje e afateve të qëndrimit në SHBA mund të sjellë pasoja të rënda.
Në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare, Ambasada kujton se të gjithë aplikantët duhet të vërtetojnë kualifikimin e tyre dhe të respektojnë ligjet amerikane.
“Nëse gënjeni për të marrë një vizë, punoni në mënyrë të paligjshme ose qëndroni në SHBA pas skadimit të vizës apo programit të udhëtimit pa vizë, do të përballeni me ndëshkime serioze”, thekson Ambasada.
Këto ndëshkime mund të përfshijnë burgimin, dëbimin dhe ndalimin e përhershëm për marrjen e një vize amerikane në të ardhmen. Ky paralajmërim vjen si pjesë e përpjekjeve të Ambasadës për të informuar qytetarët mbi rregullat e aplikimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara.