Ambasada amerikane paralajmëron: Kujdes me agjencitë mashtruese, aplikimi për vizë refuzohet nëse…
- 6 April, 2025
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një video sensibilizuese dhe paralajmëruese për të gjithë qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të aplikojnë për vizë amerikane, duke i bërë thirrje të mos bien pre e mashtrimeve nga agjenci apo persona që kërkojnë para në këmbim të ndihmës për aplikim.
Në videon e shpërndarë nga ambasada, simulohet një intervistë për vizë dhe theksohet qartë: “Aplikimi yt do të refuzohet dhe çdo vizë e vlefshme mund të anulohet, nëse nuk e ke plotësuar vetë formularin.”
Ambasada u kujton qytetarëve se agjencitë e vizave nuk kanë si qëllim të ofrojnë këshilla të sakta, por thjesht përfitimin financiar. “Mos i beso askujt që premton të të ndihmojë të marrësh një vizë amerikane në këmbim të parave. Nëse ata e plotësojnë aplikimin tënd gabim ose me informacion të rremë, TI je përgjegjës,” thuhet në mesazh.
Zyrtarët diplomatikë amerikanë inkurajojnë të gjithë qytetarët të mos shpenzojnë para kot dhe të shmangin mashtrimet, duke i udhëzuar që aplikimin ta bëjnë vetë në faqen zyrtare: https://bit.ly/4lfcAJL.
Ky është një tjetër apel i fortë nga Ambasada Amerikane, për të luftuar abuzimet dhe keqinformimin që shpesh shfrytëzon dëshirën e qytetarëve për të udhëtuar drejt SHBA.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ