Altin Arapaj u vra për një shtëpi luksoze në Greqi – del dëshmia e gruas

Një konflikt i ashpër për një shtëpi të marrë me qira në Greqi ka përfunduar tragjikisht me vrasjen e 41-vjeçarit Altin Arapaj nga Vlora. Viktima u gjet pa jetë në një vresht në zonën e Rafinas, ndërsa autori i dyshuar, 46-vjeçari Mikel Selimaj – po ashtu nga Vlora – dhe dy persona të tjerë u arrestuan dhe pritet të dalin sot para gjykatës.

Tashmë janë zbuluar motivet e krimit dhe detaje tronditëse mbi ngjarjen, ndërsa është publikuar edhe fotografia e autorit.

Sipas një interviste për televizionin grek “STAR”, bashkëshortja e Altin Arapajt ka pohuar se vrasja ndodhi për shkak të një konflikti mbi pronësinë e një shtëpie luksoze në zonën e Lucas, e cila ishte në pronësi të një amerikani dhe e marrë me qira për vite nga një shtetas kanadez.

“Kërcënimet kanë qenë të përsëritura. I thoshte: ‘Largohu nga ajo shtëpi, është e imja, do ta marr unë’,” – rrëfeu ajo.

Sipas saj, pas një humbjeje në gjyq për pronësinë e banesës dhe një vendimi që detyronte palën e interesuar të paguante kompensim, konflikti mori përmasa të rrezikshme.

Vrasja dyshohet se ndodhi pas një telefonate të kanadezit që kishte humbur gjyqin, i cili, sipas bashkëshortes së viktimës, i ofroi Selimajt para për të “zgjidhur problemin” me Altin Arapajn. “Në fund, e shlyen shtëpinë bashkë me vdekjen e burrit tim,” tha ajo mes lotësh.

Mikel Selimaj u gjet në një apartament me qira në zonën e Rafinas, i droguar dhe pa vetëdije. Sipas avokatit të tij, Nikos Roussopoulos, ai kishte konsumuar sasi të mëdha droge, veçanërisht kokainë, përpara kryerjes së krimit.

“Kur policia shkoi për arrestim, ai ishte ende në gjumë. Oficeri e njohu menjëherë dhe pamjet e tij me pranga ishin tronditëse për të gjithë ne,” – deklaroi pronari i apartamentit ku fshihej autori.

Selimaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij ndodhen aktualisht në paraburgim dhe do të dalin për herë të parë sot para gjykatës greke.